Racizmi është një nga fenomentet që godet vazhdimisht futbollin. Pavarësisht se institucionet e mëdha si FIFA apo UEFA, mundohen ta luftojnë me ç'do mënyrë, ai sërish është i pranishëm.
Së fundmi, FIFA ka vendosur të ndryshojë rregulloren e saj në lidhje me racizmin në futboll, duke e çuar në 10 ndeshje minimumin e dënimit për racizëm.
Ndërkaq, gjoba minimale do të jetë 20.000 dollarë për shkeljen e parë të verifikuar ndaj një klubi apo federate.
Po ashtu, futbollistët tashmë do të lejohen të marrin pjesë në seancat gjyqësore dhe të flasin në lidhje me episodet e racizmit.
Tani e tutje një skuadër do të humbasë në tavolinë nëse tifozët e asaj skuadre shpallen fajtorë për racizëm apo çdo lloj sjelljeje diskriminuese.
Po ashtu, nëse arbitri ndaj një ndeshje për shfaqje raciste, klubi fajtor humbet ndeshjen automatikisht në tavolinë.
Të gjitha këto vendime, kanë si synim, zhdukjen njëherë e përgjithmonë të racizmit nga bota e futbollit.