Padyshim që shumë tifozë futbolli e mbajnë mend mjaft mirë futbollistin japonez, Shunsuke Nakamura.
Mesfushori, i cili ka luajtur me Rexhinën në Serinë A dhe Sëlltikun në Skoci, së fundmi ka firmosur kontratë me klubin e kategorisë së dytë japoneze, Jokohama.
Edhe pse 41-vjeçar, ai nuk ka ndërmend të largohet nga futbolli i luajtur.
Një rast i krahasueshëm me atë të Bufon, i cili po ashtu është 41-vjeçar dhe këtë sezon do të luajë për Juventusin.
Megjithatë, diferencat janë të mëdha, pasi Bufon është portier dhe metrat që përshkruan në fushë janë të papërfillshme, në krahasim me Nakamurën, i cili është një mesfushor dhe roli e detyron të përshkruajë kilometra në fushë.
Por, kurioz është fakti se në klubin e ri, Nakamura nuk do të jetë më i vjetri pasi aty aktivizohet edhe 52-vjeçari, Kazujoshi Miura.