JOQ Albania
Home

Vazhdojnë ende të gjenden varre masive, Bosnja përkujton 24-vjetorin e masakrës së Srebrenicës
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 11/07/2019 14:53

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ditë e sotme mbushen plot 24 vjet nga një prej masakrave më të rënda të Evropës, ajo e Srebrenicës. Në korrik të 1995-ës, 8 mijë burra dhe djem boshnjakë të moshave 12-77 vjeç, u vranë nga forcat serbe.

Ajo që e bën më të rëndë këtë masakër, është fakti që Srebrenica ishte cilësuar si zonë e sigurtë nga Kombet e Bashkuara. Masakra u njoh vite më vonë nga Gjykata e Hagës si gjenocid. Ajo u shkaktua nga ushtria serbe nën udhëheqjen e Ratko Mlladiç, njësia paramilitare e ministrisë së Brendshme, “Škorpioni” dhe shumë vullnetarë grekë dhe rusë.

Udhëheqësi i serbëve, Radovan Karadzic, më 9 korrik të 1955-ës, lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat serbe rrethuan enklavën dhe morën peng 30 prej paqëruajtësve holandezë. Një ditë më pas filloi edhe bombardimi i Srebrenicës.

Bombardimet ndaluan më 11 korrik, kur gjenerali Mlladiç hyri në Srebrenicë. Sot 24 vite më vonë vazhdojnë të gjenden varre masive. Trupat janë të vështirë për t’u identifikuar, pasi janë të copëtuar nga eskavatorët, që i hidhnin nëpër varre.

Kufomat që gjenden varrosen çdo 11 korrik në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit. Ndërkohë katër muaj më parë, Karadzic ose i njohur ndryshe si kasapi i Ballkanit, u dënua me burgim të përjetshëm. Për 12 vite Karadzic jetoi i lirë, i maskuar si një mjek bamirës, derisa u arrestua më 22 korrik të 2008-ës. Ndërsa Ratko Mlladic qëndroi në arrati deri më 26 maj të 2011-ës, kur u arrestua pas një telefonate anonime dhe më pas u ekstradua në Hagë.