Argjentina mori vendin e tretë në Kupën e Amerikës, por Leo Messi shpërtheu në akuza pas ndeshjes me Kilin, duke akuzuar hapur se gjithçka ishte paracaktuar dhe se të gjithë donin që trofeun ta fitonte Brazili.
Megjithatë, duket se Messi i ka folur gjuha para mendjes, pasi deklaratat e njëpasnjëshme kundër organizatorëve të Kupës së Amerikës, mund t’i kushtojnë shumë shtrenjtë yllit të Argjentinës.
Sipas rregulloreve të turneut, Lionel Messi mund të përballet me masa disiplinore nga CONMEBOL, e cila nuk toleron sjellje të tilla.
Ai mund të pezullohet në bazë të rregulloreve të konfederatës që drejton futbollin në Amerikën e Jugut e cila parashikon pezullime për “sjellje në mënyrë ofensive, fyese apo të bëjë shfaqje shpifjeje të çdo lloji, si dhe të fyejë në çdo mënyrë dhe nëpërmjet çdo rruge CONMEBOL, autoritetin, zyrtarët e saj, etj”.
Këto nene parashikojnë një dënim deri në dy vite, që do ta ndalonte jo vetëm të luante kualifikueset e Botërorit 2022, por edhe në Kupën e Amerikës që zhvillohet vitin e ardhshëm ne Argjentinë dhe Kolumbi. Të shohim çfarë vendimi do merret...