Vendosja e taksës prej 100% ka ndryshuar rrjedhën e importit dhe eksportit në vendet e CEFTA-s për rreth 33.8 për qind rënie gjatë muajit shkurt të këtij viti, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2018.
Nga 38 milionë e 764 mijë e 684 euro sa ishte importuar në shkurt të vitit të kaluar, importi ka rënë në 25 milionë e 661 mijë e 407 euro gjatë shkurtit të këtij viti.
Maqedonia është njëra nga vendet që ia pa hajrin taksës së vendosur prej 100% për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina në nëntor të vitit të kaluar, sepse u rrit importi i mallrave që vijnë nga ai vend.
Në anën tjetër eksporti ka shënuar rritje prej 23 për qind me vendet e CEFTA-s. Nga 8 milionë e 296 mijë e 11 euro në shkurt të 2018-s, ai është rritur në 10 milionë e 211 mijë e 487 euro apo gati 2 milionë euro më shumë.