Reagimet e Beogradit kanë qenë të menjëhershme pas miratimit të platformës për dialogun nga Kuvendi i Kosovës. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka thirrur për nesër në mëngjes, një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, lidhur me “situatën e krijuar” pas miratimit në Kuvendin e Kosovës të Platformës për bisedime me Serbinë.
Vuçiç do të takohet me nënsekretarin për çështje politike të SHBA-ve, Dejvid Hejl. Pas miratimit të platformës, me deklaratë doli i ashtuquajturi drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë serbe, Marko Gjuriç, i cili tha se me këtë vendim Prishtina “e ka vënë Serbinë në pozitën më të rëndë që nga viti 2011”.
Me atë që në Platformë thuhet se i vetmi rezultat i bisedimeve mund të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës, sipas Gjuriçit, “Prishtina i tregoi tërë botës se nuk dëshiron dialog”.
Me 61 vota pro dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi sot platformën për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme të normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
58 deputetë votuan në mënyrë elektronike, ndërsa 3 të tjerë me ngritje dore. Bëhet fjalë për tre deputetët e PSD-së, Dardan Molliqaj, Shqipe Pantina dhe Aida Dërguti.
Platforma është hartuar nga ekipi negociator që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj.