“Një fotografi mund të ndryshojë botën, ta bëjë më të drejtë”, ishte moto e fotografit të madh grek, Yannis Behrakis, për të cilën punoi dhe luftoi gjatë gjithë jetës së tij, derisa lufta me kancerin e ndali sot në moshën 58-vjeçare.
Berhakis, kryeredaktori i Departamentit të Fotografisë në Reuters, punoi për këtë agjenci për gati 30 vjet, duke mbuluar ngjarjet më të rëndësishme të planetit, nga konfrontimet në Afganistan, në Afrikë, Çeçeni, e deri në tërmetin e fuqishëm në Kashmir, apo revolucionin në Egjipt.
Përveç çmimeve të tjera si World Press Photo në 2000, Calvados në 2002 dhe titullin “Fotografi i Vitit” nga Guardian në 2015, Behrakis bashkë me grupin e fotografëve që drejtonte, morën në vitin 2016 çmimin e lartë Pulitzer, për mbulimin e krizës së refugjatëve.
“Quhem Yannis Behrakis. Po qëndroj në bregdetin e ishullit grek të Lesvosit. Pas meje ju mund të shikoni një barkë dhe jelekët e shpëtimit që lanë këtu emigrantët dhe refugjatët”,shprehej Behrakis gjatë asaj kohe.
Për publikun shqiptar dhe jo vetëm, nuk harrohet fotografia e tij që përshkruan momentin kur një baba nga Kosova vendos në arkivol djalin e tij dy vjeçar, të vrarë në luftën e zhvilluar atje në fund të viteve 90.