Pjetër Ndrecaj është dënuar më burg të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës në gushtin e vitit të kaluar, në fshatin Brekoc të Gjakovës.
Gjykata e Apelit duke vendosur sipas ankesave, e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë të datës 19.11.2018.
Veprimet e të akuzuarit P.N. janë ri cilësuar si “Vrasje e rëndë nga neni 179, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.11., i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe ndaj tij është shqiptuar dënimin më BURGIM TË PËRJETSHËM.
Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkalles së parë, nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese, e ato posaçërisht rënduese dhe se këto rrethana mbizotërojnë shumëfish më tepër.
Pranimi i fajësisë, thuhet më tutje në aktgjykim, dhe shqiptimi i dënimit unik prej 24 viteve burgim, nuk është adekuat me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit. Kjo për faktin se janë shkaktuar pasoja tepër të rënda me rastin e privimit nga jeta të bashkëshortes së tij V.N dhe vajzës së tij K.N., e që ka mundur të shkaktohen pasoja edhe më të rënda.