Historikë dhe domethënës, këta janë disa prej emrave më të bukur Ilir të zbuluar në Durrës

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.12.2017, 14:44

Nga: MARIN MEMA

Duam apo nuk duam marrja e emrit është nga momentet ku nuk vendosim vetë në jetë. Në dorën e gjithsecilit mbetet se sa “kuptim” do i japim këtij emri, që shpesh ndodh të ketë që në zanafillë një prejardhje, origjinë apo kuptim të lashtë.

Zgjedhje me emra të tillë janë bërë hershëm në vendin tonë, ndonëse trendet ndryshuan me kalimin e dekadave dhe një pjesë e emrave të tillë mund të dukeshin "demode", gjykuar në sfondin e ndryshimeve të forta në rrafshin e shkëmbimeve kulturore dhe tendencës drejt globalizimit.

Por ka ende mjaft raste kur kthimi pas në histori dhe risjellja e detajeve të hershme vjen si trend i ri. Dhe i tillë qarkullon prej kohësh vendosja e emrave ilirë, si për të dhënë mesazhin se e kaluara mbart vlerë, por edhe për të qenë unik.

Nëse hedhim një vështrim më të thelluar lidhur me historinë e zbulimit të këtyre emrave, rekordin e mban Durrësi. Pra, në Durrësin e lashtë janë zbuluar shumica e emrave ilirë që ne njohim dhe interesante është se pjesa më e madhe e tyre kanë dalë në dritë gjatë gërmimeve të kryera në vitet 1950 – 1960, të cilat drejtoheshin nga Vangjel Toçi, arkeologu i njohur që ka zbuluar dhe monumentet më të njohura në këtë qytet. Pra, një pjesë e fëmijëve të këtyre viteve janë emërtuar në nder të trashëgimisë së vyer e projektuar në trekëndëshin ilirë, arbër, shqiptar.

Me interes është fakti se emra të tillë erdhën deri në ditët tona si zbulim në formën e mbishkrimeve të ruajtura në gurët e shumtë të varreve të lashtë të qytetit të Epidamnusit (Durrësi sot).

Sigurisht emrat Genti, Pleurat e Teuta nuk do të habisnin askënd por çështja bëhet më interesante po të dini se ka edhe emra që ndoshta mund të mos i keni hasur, si psh. Bersantos, Trauzos, Dazaios, Brugos, Laidan, Annos, Eortaios, Tataia etj, të cilët përcaktojnë grupe të përziera, ku p.sh. emri është ilir, por patronimi grek ose latin apo anasjelltas. Një indicie kjo që na shërben për të kuptuar bashkëjetesën në Epidamn mes ilirëve vendas me elementë të tjerë të ardhur.

Për sa me sipër, të krijohet ideja se përdorimi i emrave të tillë ishte një taktikë që na shfaqet edhe në "kohëra më moderne" dhe sipas ekspertëve, e ka zanafillën pas zbritjes në qytet të kolonëve nga Korkyrasi dhe nga Korinthi. Në këto kushte pati mjaft vendas të cilët, për t’u përshtatur, morën emra grekë duke u hequr edhe si të tillë. Në këtë mënyrë kishin lehtësi në jetën politike dhe ushtarake të qytetit. Raste të tjera konkrete me bazë të njëjtin shkak na janë sjellë edhe nga autorë romakë.

Kjo, pra, është shkurtimisht historia e disa emrave që i kemi dëgjuar shpesh e që fillimisht janë futur në përdorim mbi 60 vite më parë, por që janë edhe sot një opsion shumë i mirë për të quajtur bebet e kohërave moderne.

Pse jo, Aba, Annika, Zaimina, Annos, Madena, Plaios, Koreta, Klebeta apo edhe Andena janë emra ilirë që mund të jenë mes zgjedhjeve bashkëkohore dhe ai ose ajo që do ta ketë këtë fat, një ditë do të marri vesh se përmes këtij detaji është pjesë e trashëgimisë super të lashtë të historisë së vendit të tij./JOQ.al/

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit